Transmetuar më 04-05-2024, 08:00

Carlo Ancelotti ka rishikuar gjendjen e skuadrës së Real Madridit pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Trajneri italian, të cilit i mungojnë edhe 4 pikë për ta fituar matematikisht titullin e La Liga-s (do të ishte i dyti me madrilenët), nuk dëshiron “ta hedhë kapelën në ring”.

Ai përsëriti disa herë se “finalja” që pret do të jetë e së mërkurës kundër Bayern Munich, njoftoi Courtois, Militao dhe Güler do të startojnë kundër Cádiz, si dhe bëri me dije se Bellingham tashmë është shëruar nga virusi i stomakut që e kishte prekur së fundi. Me këtë rast, “Carletto” nuk ka dashur të komentojë një rol të mundshëm titullari për portierin belg në finalen e Ligës së Kampionëve, nëse të bardhët arrijnë në “Wembley” më 1 qershor.

 Ndeshja kundër Cádiz – "Objektivi është të shtojmë tri pikë për t’iu afruar fitimit të kompeticionit. Nuk mendojmë se çfarë mund të ndodhë më pas, por vetëm të përmbushim objektivin tonë kundër një skuadre që po lufton për të mos rënë nga kategoria. Cadiz do të vijë në ‘Bernabeu’ me entuziazmin për të fituar pikë”.

Një sezon unik – "Nuk më ka ndodhur kurrë që të kem një sezon me vetëm dy humbje. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë seri deri në fund. Skuadra ka bërë shumë mirë dhe të gjithë kanë kontribuar çdo ditë. Arritëm në fazën finale të sezonit shumë të emocionuar dhe me bindjen për të fituar sa më shumë tituj”.

Rikthimi i Courtois – "Ai është mirë, do të luajë ndaj Cadiz pas një kohe të gjatë. Është një lajm i mirë për ne që është kthyer, sikurse bëri Militão. Finalja që kemi në mendje është e mërkura kundër Bayernit. Lunin do ta luajë atë, më pas do të shohim".

Vinicius – "Lojtari që po përparon dhe vazhdon të bëjë më së miri është Vinicius. E përgëzoj për qëndrimin, cilësitë dhe punën e tij. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne".

Rreth Bellingham – “Të mërkurën kishte një virus intestinal dhe nuk ka qenë 100%, por tabi është mirë”.

Pozicioni i Rodrygo – “Vendosja e Rodrygo në krahun e majtë është sulmuese, jo mbrojtëse. Ishte thjesht për të tentuar t’i shkaktonte më shumë dëm mbrojtjes kundërshtare. Nuk është një vendim përfundimtar, mund të ndryshojë. Ai është efektiv në të gjitha pozicionet ku e vendos”.

A do të ketë minuta Arda Güler – “Po, ndaj Cadiz do të jetë titullar”.

E veçanta e këtij ekipi – “Është e vështirë të krahasosh një ekip me një tjetër. Unë shoh te ky Real Madrid angazhim të jashtëzakonshëm kolektiv”.

Nëse Kroos do të ishte djali i tij, çfarë do të rekomandonte për të ardhmen – “Lëreni të marrë vendimin më të mirë për veten”.

Krahasimi me vitin 2022 – “Jemi të vetëdijshëm që është ndryshe. Kur luanim kundër Espanyol, ishte në dorën tonë, tani nuk është. Na mungojnë edhe 4 pikë. Kjo është ajo që kemi parasysh, kjo është arsyeja pse nuk duam të flasim për festë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd