Transmetuar më 03-05-2024, 13:50

TIRANA- Bashkëshorti i ish-ministres dhe aktualisht deputetes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi, është paraqitur sot në SPAK. Gaçi është pyetur nga gazetarët se për çfarë ishte thirrur apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug. Ai nuk ka preferuar që të japë komente teksa ka vijuar të ecë duke buzëqeshur.

Më 11 prill 2024, shumica parlamentare vendosi të bllokojë me forcën e kartonit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i kërkonte Kuvendit të dërgonte për interpretim në këtë gjykatë shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Shumica parlamentare votoi me 72 vota kundër dërgimit në Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve, të cilët pretendonin se Xhaçka kishte shkelur Kushtetutën pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik nga qeveria.

Që nga nisja e procesit për shqyrtimin e kësaj çështje, mazhoranca doli në mbrojtje të Xhaçkës, duke zvarritur procesin dhe duke rrëzuar kërkesën e opozitës në Kuvend në nëntor 2022. Pasi opozita u ankua në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit vendosi të shfuqizojë vendimin e Kuvendit si antikushtetues dhe i kërkoi që të vendoste për dërgimin pranë kësaj gjykate të mocionit te 1/10 së deputetëve.

Më shumë se 1 vit pas këtij vendimi, mazhoranca votoi sërish kundër. Pas votimit, opozita e quajti sjelljen e mazhorancës një “puç institucional” dhe mbrojtje politike për deputeten Olta Xhaçka. Në të kundërt, Partia Socialiste e zhvlerësoi këtë çështje si “debat procedurial” dhe “vendim sovran” të deputetëve.

olta xhaçka

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd