Transmetuar më 03-05-2024, 10:07

Jurgen Klopp po përgatitet të luajë ndeshjet e tij të fundit në krye të Liverpool-it. Me garën për ta fituar titullin e Premier League tashmë thuajse të rrënuar, me tri ndeshje para dhe 5 pikë pas liderit, Arsenalit, trajneri gjerman është gati t’iu thotë lamtumirë “Reds” pas 9 sezonesh.

Ndërsa Liverpool fillon të shikojë nga e ardhmja me Arne Slot në stol, duket se Klopp po shqyrton gjithashtu disa opsione. Sipas asaj që raportohet nga “The Independent”, po projektohet rikthimi i tij i bujshëm te Borussia Dortmund.

Megjithatë, jo si trajner, me Terziç që ka zhgënjyer pritshmëritë në Bundesligë, por po e drejton skuadrën verdhezi drejt rezultateve të shkëlqyera në Champions League. Në fakt, duket se për trajnerin në largim të Liverpool-it është rezervuar pozicioni i “Kreut të Futbollit” në Dortmund.

Këtë klub ai e ka drejtuar për 7 vite, duke fituar dy herë radhazi Bundesligën, një Kupë të Gjermanisë dhe luajtur një finale të Champions League më 2013, të cilin e humbi kundër Bayern Munich.

Një rikthim emocionues dhe romantik për Klopp në një klub që nuk e ka harruar kurrë. Por “Bild” ndërhyri për ta “mohuar” lajmin, duke konfirmuar hipotezën e një pushimi për trajnerin gjerman. Megjithatë, pas një viti pushim, sikurse ka njoftuar vetë Klopp, “muri verdhezi” e pret krahëhapur.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd