Transmetuar më 03-05-2024, 08:35

Finalja e madhe e “Final 4” në kampionatin e Superiores do të gjykohet nga një arbitër i huaj dhe me shumë eksperiencë në arenën Europiane. Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se është arritur akordi, që finalja e madhe e “Final 4”, ku do të përcaktohet edhe ekipi kampion i këtij sezoni, do të drejtohet nga anglezi Anthony Taylor.

Gjithashtu, FSHF bën me dije se edhe ndihmësit e Anthony Taylor në finalen e madhe të 26 majit do të jenë të huaj dhe në ditët në vijim do të bëhen publikë emrat e përzgjedhur. Arbitri 45-vjeçar, i cili mban prej kohësh stemën e FIFA-s, ka një karrierë të pasur në botën e futbollit, pasi drejton takime të nivelit të lartë në Premier League, Champions League, Europa League etj.

Anthony Taylor ka gjykuar edhe disa finale të rëndësishme, ku vlen të përmendet finalja e vitit të kaluar në Europa League, Sevilla-Roma, ndeshjen finale të "FIFA Club World Cup" në sezonin 2022-2023, Real Madrid-Al-Hilal, finalen e "Nations League" të sezonit 2020-2021, Spanjë-Francë, sfidën finale të "UEFA Super Cup" 2020-2021, Bayern Munich-Sevilla etj.

Gjyqtari anglez së fundi drejtoi edhe takimin e parë gjysmëfinal në Champions League, Borussia Dortmund-PSG. “Final 4” është risia e këtij sezoni në Superiore dhe FSHF iu ka dhënë një rëndësi maksimale këtyre ndeshjeve, për ta përmbyllur në mënyrën e duhur edicionin futbollistik.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd