Transmetuar më 02-05-2024, 11:49

Zëvendëspresidenti i zikaltërve, Javier Zanetti, i intervistuar nga “Radio Serie A”, rishikoi ecurinë e Interit të titullit (yllit të dytë) dhe tregoi shumë anekdota interesante nga e kaluara dhe e tashmja. Nuk la jashtë vëmendjes as të ardhmen e klubit ku ka qenë edhe kapiten.

Calhanoglu?

Shkëlqyeshëm, ai ka personalitet dhe është një forcë lëvizëse e vërtetë. Hakan është një nga ata që e merituan ta fitonin titullin në këtë mënyrë.

Mkhitaryan?

Një lojtar që mendon, ai është truri i ekipit. Nuk duhet t’i shpjegosh asgjë, ai di gjithçka.

Barella?

Ka zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm, si lider dhe forcë lëvizëse e vërtetë, në mbrojtje e në sulm. Gjithmonë në shërbim të ekipit.

Dimarco?

Ai u rrit me ne, u largua dhe tani është kthyer si burrë. E kemi parë interizmin e tij gjatë gjithë sezonit.

A e ke falur Lukakun?

Nuk e di nëse fjala e duhur është për ta falur. Ne ishim të zhgënjyer mbi të gjitha për shkak të kohës dhe sepse ai nuk ishte i qartë që në fillim. Personalisht ende i uroj atij një karrierë të madhe.

Kush ishte protagonisti kryesor i titullit?

Trajneri, stafi, lojtarët, por edhe tifozët. Do të thosha Interi.

Sa ju ka munguar presidenti Zhang?

Na ka munguar, por vetëm fizikisht. Jemi gjithmonë në kontakt. Ai ishte i lumtur me titullin, donte shumë të ishte këtu.

Ka nga ata që kampionatin e Serie A e quajnë ‘Marotta League’…

Është qesharake ta thuash këtë kur sheh një ekip që e dominoi kampionatin nga fillimi deri në fund.

Si mund të vazhdojë cikli i këtij Interi?

Ne duhet të qëndrojmë konkurrues në të gjitha garat. Objektivi për sezonin e ardhshëm është tashmë i qartë: të mbrojmë yllin e dytë dhe ndoshta të shkojmë më tej në Ligën e Kampionëve. Pastaj do të jetë edhe Kupa e Botës për Klube, një kompeticion shumë i rëndësishëm. Do të na duhet një listë e gjerë lojtarësh për t’i përballuar të gjitha këto angazhime.

A mund të na thoni si filloi karriera juaj si futbollist?

Unë ndalova së luajturi dhe fillova të punoja si murator me babain tim. Ishte ai që më shtyu të provoja sërish, pas zhgënjimit tim të parë me Independiente. Të qenit murator me babanë, në moshën 13 vjeçare, më bëri të mësoja vlerën e sakrificave.

A do të forcohet ky Inter në tregun e transferimeve?

Nëse lindin mundësi, që trajneri i konsideron të rëndësishme për të vazhduar rritjen e ekipit tonë, do ta bëjmë këtë.

A është Zirkzee një objektiv?

Zirkzee është një kampion i madh. Po flasim për një lojtar të ri, të talentuar, inteligjent, fizikisht shumë të fortë. Një lojtar i tillë do të ishte i dobishëm për çdo ekip të madh që synon qëllime të rëndësishme. Nëse paraqitet një mundësi e rëndësishme, ndoshta mund të mendojmë në lidhje me të.

Çfarë sulmi do të ishte ai me Lautaron dhe Thuram…

Zirkzee, Lautaro dhe Thuram janë tre sulmues të rinj dhe të forte, që të japin qetësi.

Meqë ra fjala, a do të rinovojnë Lautaro dhe Barella?

Lautaro dhe Barella sigurisht që do të rinovojnë. Si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e tyre ka predispozicion maksimal për ta vazhduar punën së bashku.

Sa dhemb eliminimi nga Champions League?

Liga e Kampionëve është një kompeticion shumë i vështirë, i përbërë nga detajet. Duhet të kemi respekt të madh për çdo kundërshtar. Duhet të kishte shkuar ndryshe ndaj Atletico Madridit, gjë që është për të ardhur keq, sepse në dyja ndeshjet patëm shumë mundësi për të shënuar.

Sa e rëndësishme është Kupa e Botës për Klube për Interin?

Ky kompeticion është prestigjioz, me shumë ekipe. Fakti i pjesëmarrjes është tashmë diçka që na bën krenarë. Ne duam të jemi protagonistë edhe në Kupën e Botës për Klube.

Cila është ende ëndrra e Javier Zanettit për t’u realizuar?

Dua të vazhdoj me fitore të rëndësishme për Interin, ndoshta mendoj Ligën e Kampionëve. Nuk do të ishte keq të ngrija një tjetër trofe të tillë si zëvendëspresident.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd