Transmetuar më 02-05-2024, 11:25

Lajmi konsiderohet vërtet i bujshëm dhe është konfirmuar pak më parë nga Federata Austriake e Futbollit. Ralf Rangnick nuk e pranoi propozimin e Bayern Munich.

Ish-trajneri i Stuttgartit, Hoffenheim, Schalke dhe Leipzig ka shprehur dëshirën për të qëndruar në krye të kombëtares austriake, duke preferuar kështu të përmbushë kontratën e tij në fuqi deri në Kupën e Botës 2026. "Ralf qëndron! Kemi shumë plane për të bërë së bashku", – publikoi federata në kanalet e saj zyrtare.

“Unë jam trajneri i kombëtares austriake me gjithë zemër. Dua të theksoj shprehimisht se ky nuk është refuzim i Bayern Munich, por më tepër një vendim për qëllimet tona të përbashkëta me Austrinë. Fokusimi ynë i plotë është te Europiani i kësaj vere”, – pohoi vetë trajneri gjerman.

Një tjetër refuzim për Bayern Munich, i cili tashmë ishte përpjekur më kot të bindte Xabi Alonson, Julian Nagelsmann dhe Unai Emery, të cilët vendosën të vazhdonin aventurat e tyre përkatëse me Bayer Leverkusen, Gjermaninë dhe Aston Villa.

Kush do të jetë trajneri i ardhshëm i klubit më të rëndësishëm gjerman? Kuotat e Roberto De Zerbit, me të cilin prej ditësh ka pasur kontakte të vazhdueshme, mund të rriten për stolin e gjigantëve bavarezë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd