Transmetuar më 01-05-2024, 19:10

12 persona, prej tyre 11 turistë që kishin mbetur në mes të detit pasi mjeti me të cilin po lundronin kishte pësuar difekt teknik janë shpëtuar nga policia kufitare e Vlorës.

“Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë portit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor. Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë Kufitare pasi kanë tërhequr drejt portit mjetin lundrues ku ndodheshin turistët, kanë kryer verifikimet nga të cilat ka rezultuar se mjeti lundrues i dalë në lundrim nga SPK Triport, është mjet lundrues për përdorim personal dhe nuk është i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Mjeti lundrues u bllokua kurse Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 100 000 lekë, bazuar në Ligji Nr. 43/2020 "Për operatorët turistikë detar".

Turistët të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe të Rojës Bregdetare për ndihmën dhe reagimin e shpejtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd