Transmetuar më 01-05-2024, 12:08

Ralf Rangnick është gjithnjë e më pranë stolit të Bayern Munich. Këtë e konfirmoi dje Herbert Hainer, presidenti i bavarezëve, i cili pranoi se kishte nisur negociatat me trajnerin aktual të Austrisë për të pasuar Thomas Tuchel:

“Po diskutojmë me Ralf, – tha Hainer për “Sky Sport DE”. – Duhet të presim edhe disa ditë. Ai ka një njohuri të shkëlqyer të peizazhit të futbollit, ka aftësi të mëdha për t’i rritur lojtarët dhe ekipet. Gjithçka që dëgjoj nga kombëtarja austriake është shumë, shumë pozitive dhe ndër të tjera, te ne ka lojtarë që punojnë dhe kanë punuar me të. Nëse ai do të vinte, do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për ne. Le të shpresojmë që kohët të mos jenë shumë të gjata, do të shohim kur të arrijë drita jeshile përfundimtare”.

Edhe drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman, Jan-Christian Dreesen, foli për marrëveshjen tani të afërt, duke përdorur një metaforë: "Është si parashikimi i motit: ndonjëherë shirat vijnë në prill, kur nuk i prisni, ndonjëherë dielli vjen në maj. Nuk mund të ndikojmë te moti”.

Drejtori sportiv Max Eberl nënvizoi rëndësinë e parashikimit të lëvizjeve për sezonin e ardhshëm: "Ne duam siguri në planifikim. Edhe dy ndeshjet e Real Madridit janë të një rëndësie thelbësore për ne, për ta bërë sezonin më të mirë". Klubi bavarez pritet t’i ofrojë Rangnick një kontratë deri në vitin 2027 dhe do t’i paguajë kompensim Federatës Austriake të Futbollit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd