Transmetuar më 01-05-2024, 10:53

Pasi fitoi 5 tituj kampioni, 4 Kupa të Italisë dhe 2 Superkupa të Italisë me fanellën e Juventusit, kolumbiani Juan Cuadrado festoi “trengjyrëshin” e tij të parë me Interin. E bëri këtë direkt, në sezonin e parë pasi i “përzu” nga “Zonja e Vjetër” në fund të sezonit të kaluar.

Gjatë festimeve të titullit zikaltër, në paradën e skuadrës mbi autobusë të hapur nëpër rrugët e Milanos, ai inicioi korin "kush nuk kërcen është bardhezi", e kënduar nga mijëra tifozë të pranishëm përgjatë “procesionit” që e çoi ekipin nga “San Siro” në “Duomo”. Një hakmarrje e vogël, që nuk u pëlqye aspak nga ish-fansat e anësorit kolumbian, të cilët e përmbytën me ofendime përmes rrjeteve sociale dhe jo vetëm.

“Juan Cuadrado, gjatë festimeve për titullin e Interit, mori pjesë në korin ‘kush nuk kërcen është bardhezi’, duke kërcyer. Për pasojë vendosi një gur varri në aventurën e tij te Juventusi”. Kështu fillon teksti i peticionit online të nisur në “Change.org” nga Tommaso Simonato për të kërkuar që lojtari të hiqet nga “J-Museum”. Në më pak se 24 orë nga nisja e peticionit, thirrja e tij ka mbledhur tashmë 1000 nënshkrime.

“Gjesti është shumë serioz, sepse do të thotë të mos respektosh skuadrën që të ka bërë të madh. As Antonio Conte, i cili konsiderohet tradhtar nga shumë prej nesh, nuk e ka lejuar ndonjëherë veten të marrë pjesë në një këngë apo ndonjë gjë tjetër kundër Juventusit, – shpjegon iniciatori i peticionit në fjalë.

– Unë besoj, dhe mendoj se flas në emër të shumicës dërrmuese të njerëzve të Juventusit, se çdo referencë për Juan Cuadrado në ‘J-Museum’ duhet të hiqet, sepse nuk është i denjë për të përfaqësuar historinë tonë të madhe dhe fisnike”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd