Transmetuar më 01-05-2024, 09:47

Policia në Pejë të Kosovës ka kërkuar ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për “Shtytje në kryerjen e veprës penale degradimi i integritetit seksual”.

Burime për Voxnews.al bëjnë me dije se Tik-Tokeri në fjalë mban në rrjetin social emrin “FireFire”, quhet Xhemal Uka dhe është nga Puka, aktualisht në një burg të Francës për grabitje me dhunë.

Dënimi në Francë

Xhemal Uka është akuzuar për një seri vjedhjesh të kryera nga fundi i dhjetorit 2020 deri në fillim të janarit 2021 në disa qytete franceze dhe është dënuar nga Gjykata e Apelit në Caen.

Kjo gjykatë ka lënë në fuqi dënimin me katër vite burg për shqiptarin Uka, pasi ky i fundit ishte dënuar në dhjetor 2021 nga Gjykata Penale e Caen-it, së bashku me një tjetër shqiptar.

Uka kishte mbërritur në Francë rreth fundit të vitit 2020 dhe kishte aplikuar për azil sepse kishte frikë për jetën e tij në Shqipëri sepse ka plagosur një polic në vitin 2015.

Ndërkohë, pas mbërritjes në shtetin francez ai ka nisur edhe vjedhjet në disa qytete. Vjedhjet kryheshin në orët e vona të pasdites ose herët në mbrëmje, në shtëpi që ishin të pabanuara.

Vjedhjet e tij përfshinin bizhuteri, ora, elektroshtëpiake vlera e të cilave konsiderohet se kapte një shifër prej 94,000 euro, bëjnë me dije mediet vendase.

Për më tepër, shqiptari dyshohet se ka shkuar edhe në një dyqan bizhuterish në Paris ku ka tentuar t’i shesë sendet që kishte vjedhur, por nuk i janë pranuar.

Plagosja e policit në Shqipëri

Ky person kur ishte vetëm 20 vjeç ka qenë i arrestuar nga policia në Shqipëri pasi ka goditur me thikë një polic në dhjetor të vitin 2015.

Pas këtij veprimi Xhemal Uka është shprehur se ka pasur frikë nga familja e efektivit të cilën ka goditur me thikë, çka mendohet se e ka bërë që të largohet edhe nga vendi.

Uka goditi Sami Gjyzelin, 56 vjeç, efektiv i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, i cili fatmirësisht u mbijetoi plagëve të marra.

Aktiviteti në Tik- Tok

Absurde është që tiktokeri pukjan Xhemal Uka futet nga qelia "live" në Tik Tok, ku zhvillon sfida të ndryshme e duke shkëmbyer dhurata brenda aplikaciont. Në shumë raste ai ka detyruar kundërshtarët që të kryejnë veprime të turpshme online që cënojnë integritetin seksual të personave, arsye pse është shpallur në kërkim edhe nga policia e Kosovës.

Burime për VoxNews theksojnë se Xhemal Uka ka marrë nga gjykata franceze një shtyrje të dënimit me 6 muaj, pikërisht sepse i janë gjetur telefonat në qeli. Pas arrestimit të shokut të tij në Kosovë, Uka ka mbyllur të gjitha rrjetet sociale.Voxnews

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd