Transmetuar më 01-05-2024, 08:59

Real Madridi barazoi 2-2 kundër Bayern Munich në “Allianz Arena”, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dopietë nga Vinicius Junior, i cili ishte i jashtëzakonshëm, teksa në golin e parë mori një pasim të papërsëritshëm prej Toni Kroos.

Duke folur për këtë në konferencën për shtyp, Carlo Ancelotti tha: “Toni Kroos, nuk ka fjalë për të. Ai është një top-lojtar, shumë vendimtar për ne. Pasimi i tij nuk është për të gjithë, absolutisht. Ama, edhe lëvizja e Vinicius ishte e zgjuar, e shkëlqyeshme.”

Ancelotti për performancën e Real Madridit – “Rezultati është i mirë. Mund të ishte edhe më i mirë. Momenti ynë më i mirë ishte fillimi i pjesës së dytë, më pas ata shënuan dy gola ndaj nesh. Bayerni është shumë i rrezikshëm, tregoi versionin e vet më të mirë, ndërsa ne jo. Kemi kohë për t’u përmirësuar për të mërkurën”.

Ancelotti për mungesën e intensitetit – “Po, mendoj se në pjesën e parë u mbrojtëm me pak intensitet. I dhamë shumë hapësirë kundërshtarit. Në pjesën e dytë, kur Bayerni kaloi në avantazh, ne filluam të bënim më shumë presion. Dukej sikur ishim rehat, por intensiteti mungonte. Humbëm shumë duele. E përfunduam mirë ndeshjen. Rezultati është barazimi, por në një mjedis që të gjithë e njohin”.

Pse e zëvendësoi Toni Kroos – “Vetëm për më shumë energji. Kroos bëri një lojë shumë të mirë. Diçka duhej të ndryshonte dhe unë kam elementë të shkëlqyer në pankinë për ta bërë këtë”.

Ancelotti për Vinicius si sulmues – “Mendoj se ai mund të luajë atje, sepse ka mësuar të lëvizë pa top dhe të sulmojë pjesën e pasme. Natyrisht, duhet të kesh një mesfushor që të jep topin si Kroos”.

Ancelotti për ndeshjen e kthimit – “Ne jemi këtu për të luftuar. Kanë mbetur edhe 90 minuta për të shkuar në Londër”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd