Transmetuar më 30-04-2024, 20:48

Policia në Pejë të Kosovës ka kërkuar ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për “Shtytje në kryerjen e veprës penale degradimi i integritetit seksual”.

Tik-Tokeri në fjalë mban në rrjetin social emrin “FireFire”, quhet Xhemal Uka dhe është nga Puka, aktualisht në një burg të Francës për grabitje me dhunë. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka kryer ai konkretisht.

Ai ka një numër të madh ndjekësisht në TikTok dhe shpesh herë shfaqet në lojëra “live” duke marrë “dhurata” brenda aplikacionit. Sa herë ai humbet në këto “beteja” në TikTok, u kthen kundërshtarëve dhurata digjitale me vlerë deri në 150 dollarë. Dhe nëse fiton, i shtyn kundërshtarët të kryejnë çfarë t’u thotë ai.

Në të paktën dy raste, ai ka shtyrë dy vajza që të tregojnë pjesë intime “live” para një audience të madhe, pasi kanë “humbur lojën” me të.

“Sektori Rajonal i Hetimeve DRP Pejë, është duke zhvilluar hetime intensive për kapjen e personit të dyshuar për veprën penale “Shtytja në kryerjen e veprës penale degradimi i integritetit seksual”. Nga rrjetet sociale është siguruar fotografi e personit të dyshuar mirëpo deri më tani nuk është bërë identifikimi i tij”, njofton policia.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

– 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

– 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

– E-mail adresa: [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd