Transmetuar më 30-04-2024, 20:19

TIRANË- Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak është zhvilluar online, teksa jashtë bashkisë po zhvillohej protesta e thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Në mbledhje u miratuan disa vendime si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre. Anëtarët socialistë miratuan dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995.

Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish-deputet i PD dhe ish-kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92. Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore.

Vlen të theksohet se mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua pa pjesmarrjen e këshilltarëve opozitarë, pasi siç u njoftua dhe nga vetë ata, njoftimi për zhvillimin e mbledhjes online u bë përmes një emaili gjysëm ore para nisjes. Pavarësisht kësaj, këshilltarët e opozitës, kërkuan të futen në bashki dhe ta ndjekin mbledhjen në paltformën “Zoom” nga zyrat e tyre, por nuk u lejuan të futen brenda nga forcat policore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd