Transmetuar më 30-04-2024, 14:36

Policia ka arrestuar 31-vjeçarin Sadri Selaci, i cili kërkohej për vrasjen e Florian Selimit natën e Kurban Bajramit në vitin 2019.

I riu ishte dënuar me 19 vite burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim.

“Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar "Sundimi i ligjit", shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim.

Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur "Ura e Zharrës", ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S..,” njofton policia.

23 vjeçari Florian Selimi, u vra për motive të dobëta me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr disa metra nga vendngjarja.

Autorë për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019 në fshatin Hamil të Fierit, ishin Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. I riu nga Tropoja kishte disa vite që jetonte në Sulaj të Fierit, në të njëjtin fshat me dy autorët.

Në atë kohë viktima kishte ndaluar për të rregulluar automjetin e tij, për shkak se kishte një defekt në gomë dhe pikërisht në këtë moment duket se është vrarë nga dy autorët. Babai i 23-vjeçarit në atë kohë deklaroi se në orët e vona të natës, ai ka marrë një telefonatë nga i biri, i cili i kishte kërkuar ndihmë për të rregulluar makinën.

Sipas babait të viktimës, Floriani i ka treguar të atit se makina e kishte lënë në rrugë. Më pas nuk mundi të komunikonin bashkë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd