Transmetuar më 30-04-2024, 14:26

Gjykata e Shkallës së Parë, ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e Këshillit Kombëtar të PD, për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i Partisë Demokratike.

Kjo për shkak të Këshilli Kombëtar, i thirrur nga Gazment Bardhi në korrik të vitit 2023, nuk legjitimohet.

Gjyqtari Gentjan Marku, vendosi kështu mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Bardhi, kërkesë që u bë nga 6 deputetë të PD.

Gazment Bardhi, mblodhi online në 27 korrik 2023 Këshillin Kombëtar të PD, mbledhje të cilën ai e drejtoi nga Kryesia e Kuvendit.

Bardhi njoftoi atëherë se në mbledhje morën pjesë 245 anëtarë.

Partia Demokratike zyrtare, nuk e njohu mbledhjen e Këshillit nga Gazment Bardhi dhe e akuzoi atë për falsifikim dokumentesh.

Në një nga seancat në Gjykatën e Tiranës për çështjen e statutit të PD, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Rezart Kthupi dhe ai për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa, në cilësinë e përfaqësuesve ligjorë, deklaruan se “kemi dyshime se Këshilli Kombëtar i datës 27 i mbledhur online, nuk është mbledhur kurrë”.

“Ne kemi dyshime të arsyeshme se në dosje mungon dokumentacioni i nevojshëm për të legjitimuar procesin. Ne na rezulton që të mos jetë mbledhur Këshilli Kombëtar, pasi nuk mbështet askund në legjislacion. Ne kemi dyshime të arsyeshme se kjo mbledhje nuk ekziston dhe jemi në kushtet e falsifikimit të dokumenteve“, pretenduan përfaqësuesit ligjorë të PD.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd