Transmetuar më 30-04-2024, 09:15

Federico Valverde, mesfushori i Real Madridit, foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions League me Bayern Munich. Këto janë deklaratat e tij: "Kam shumë besim te skuadra ime. Duhet t’i respektojmë kundërshtarët me të cilët përballemi, por kemi besim të plotë te lojtarët që kemi në radhët tona".

Si do ta ndaloni fuqinë e sulmit të Bayernit?

Ne kemi mbrojtës të klasit botëror, të cilët kanë kaluar kohë të mira dhe të këqija, që kanë luajtur në finalet e Ligës së Kampionëve. Sulmuesit kundër të cilëve duhet të luajmë meritojnë respektin më të madh.

Shkathtësia është pika juaj më e fortë…

Jam rritur në pozicionin që luaj aktualisht te Real Madridi. Aty jam rritur si lojtar, kam hedhur hapat e parë si profesionist, ndaj jam përpjekur të përshtatem sa më mirë. U përshtata të luaja me një idhull si Kroos, në krah të tij. Ka qenë një burim i madh krenarie dhe lumturie.

Çfarë iu thoni atyre që ngulmojnë se Real Madridi është një ekip me fat?

Duhet pak fat, vetëm shikoni se çfarë ndodhi dy vite më parë kundër Manchester City. Ky është fati i të ashtuquajturit kampion, ne duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë.

Sa i rëndësishëm është për ju Ancelotti?

Trajneri Ancelotti ishte një pjesë themelore për mua. Ai më dha ide të qarta se çfarë donte dhe çfarë mund të përmirësoja si futbollist. Më hapi sytë që të mos fokusohesha vetëm në një pozicion. Përpiqem të jap maksimumin tim, mësova të vlerësoj ato momente në të cilat lojtari duhet të përshtatet me atë që dëshiron trajneri.

Cili është vlerësimi për sezonin tuaj?

Jam i lumtur me atë që ka qenë ky sezon për mua, po kënaqem duke luajtur shumë minuta si titullar. Të përfaqësosh Real Madridin është gjëja më e mirë që një futbollist mund të përjetojë. Po përfitoj sa më shumë nga gjërat pozitive, momenti që kemi.

Si mund të mposhtet Bayern Munich?

Në Champions League çdo ndeshje është shumë e vështirë. Bayerni ka disa tituj në këtë kompeticion, luan gjithmonë në fazën finale të këtij trofeu. Ne duhet të demonstrojmë atë që kemi, lojtarë të mëdhenj, shumë cilësi dhe entuziazëm për ta fituar sërish këtë trofe.

Cili është mendimi juaj për talentin e Musiala?

Ai është një lojtar i madh, ka shënuar shumë gola që në moshë të re. Shpresoj që të vazhdojë në këtë rrugë, duke qenë i suksesshëm në futboll.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd