Transmetuar më 29-04-2024, 21:09

TIRANË- Një tjetër debat është zhvilluar në seancën e sotme plenare, kësaj here mes kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit dhe nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj.

Debati ka nisur për listën e personave që mbajnë fjalën e tyre në foltoren e Kuvendit. Bardhi ka akuzuar Felajn se radhën e diskutantëve bën ajo si të dëshirojë, ndërsa i është drejtuar me fjalë "Gënjeshtare, gjobaxhie". Felaj i ka tërhequr vëmendjen, duke i thënë se do t’i heq të drejtën e fjalës dhe do ta nxjerr jashtë.

DEBATI:

Ermonela Felaj: Një sqarim për listën e diskutantëve. Lista bëhet nga grupet dhe drejtuesi i seancës. Një minutë, se ju vetëm gënjeni dhe të gjithë ngatërresën ju e bëni bashkë me kolegët. Ne nuk bëjmë asnjë listë si të duam. Por listat kanë një logjikë që imponon rregullorja që është harmonizimi i grupeve. Deputetja Ilda Dhori përfaqëson jo grupin parlamentar të PD, por grupin parlamentar Demokraci dhe Integrim. Si kundër Elda Hoti nuk përfaqëson grupin e PD, por grupin Aleanca për Ndryshim, kështu që nuk ka gabim në listë. Zonja Hoti do ta marrë kur ti vijë radha. Mos gënjeni kolegët tuaj.

Bardhi pa mikrofon: Gënjeshtare

Ermonela Felaj: Gënjeshtar je ti i kapur me fakte dhe prova që nuk e di ku i ke deputetet dhe deputetet nuk dinë se ku janë.

Bardhi pa mikrofon: Gjobaxhie

Ermonela Felaj: Zoti Bardhi ju tërheq vëmendje, ju lutem mos e përsërisni sepse ju heq të drejtën e fjalës dhe ju nxjerr jashtë. Ato gjobaxhiet shko tregoi atje ku të mësojnë sesi të vish dhe të flasësh kështu

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd