Transmetuar më 29-04-2024, 14:52

Ish deputeti i PD Myslym Murrizi ka qenë i ftuar sot në emisionin "Breaking" me Fiori Dardhën në Top News ku foli në lidhje me zhvillimet politike të vendit dhe kryesisht për atë që po ndodh me Partinë e Lirisë dhe tashmë presidentin e saj, Ilir Meta.

Murrizi e cilësoi kreun e PL si një enverist që është në betejë me Ramën për të marrë ithtarët komunistë. Por kur pyetet se si një enverist nuk “ngurojnë të veshë bluzën “Free Berisha” dhe të mbështesë liderin e opozitës”, ai thotë se “hipokrizia është gjellë që hahet me orekse. Këta e hanë me garuzhde, për një karrige të qelbët të shtetit dhe pushtetit”.

Ish deputeti nuk e beson “luftën ndaj depozitimit” që Meta ka shpallur në partinë e tij.

“Nuk është e vërtetë, njerëz që ndajnë 8 orë krevatin së bashku, prindër të 3 fëmijëve, të jenë kaq shumë të mosmarrur vesh për hatër të parimeve për këtë mender demokraci që jetojnë shqiptarët 34 vite. Ky është një teatër, jo të gjithë mund të na fyejnë injorancën me këto veprime. Nuk e besoj faktin që Monika është tërhequr. As shqiptarët nuk e besojnë. Nuk do tërhiqet sepse politika është ves. (…) Atë që ndodhi që ndodhi do të quaja një taktikë elektorale politike brenda subjektit për të ngritur adrenalinën e militantëve, për të thënë që këtu po bëhet një gjë e madhe”.

Përsa i përket marrëdhënies së Ilir Metës me SPAK-un, Murrizi tha se nuk është çudi që ai të ketë informatorët e tij brenda këtij institucioni.

Në një institucion me 18 prokurorë dhe 17 agjentë të BKH, nuk është çudi që të marrësh informacion. Për shembull, keni dëgjuar ndonjëherë Metën ta zërë me gojë Arben Krajën. Asnjëherë! E ka pas vartës. Kur ishte Kryeministër, e ka pas atje. Pasi iku nga nënkryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit nga Mustafa Kërçuku vajti shefi ia anti-korrupsionit dhe këshilltar e jurist i tij”, tha Murrizi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd