Transmetuar më 27-04-2024, 18:42

GJENEVË- Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është dëmtuar busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu që ndodhet në Gjenevë të Zvicrës.

Le Canton27.ch, shkruan se pas denoncimit në polici, autoritetet zvicerane kanë nisur hetimin në lidhje me rastin e vandalizimit. Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastin, ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që dëmtohet busti i Skënderbeut.

Busti i heroit kombëtar të Shqipërisë është përuruar në Gjenevë më 1 nëntor te vitit 1997 nga veprimtarët e shquar Astrit Leka dhe Zaim Jashari. Ai u vendos në Zvicër në shenjë falënderimi dhe respekti ndaj komunitetit shqiptar në territorin helvetik, numri i të cilëve besohet se është mbi 300.000.

Në përurimin e bustit të Skënderbeut morën pjesë qindra persona, në mesin e tyre edhe shume veprimtarë të çështjes kombëtare nga komuniteti shqiptar dhe shumë personalitete nga Tirana dhe Prishtina si dhe autoritete kantonale dhe zvicerane.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd