Transmetuar më 26-04-2024, 11:47

TIRANË- Ka nisur protesta e thirrur nga opozita dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, para bashkisë së Tiranës, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Një nga organizueset e protestës, Adriana Kalaja ka lajmëruar policinë se tubimi i sotëm do të zgjasë deri në 20:00 të mbrëmjes. Ajo tha se nuk do të ndalen deri sa Veliaj të shkojë para hetuesve dhe të japë dorëheqjen.

Policia e Shtetit njoftoi pasditen e djeshme se sot në orën 09:45 do të ketë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin pranë Bashkisë Tiranë. Gjithashtu, Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.

Protestuesit e mbledhur para bashkisë kanë qëlluar me vezë dhe mollë në drejtim të godinës së institucionit. Ndërkohë protesta e katërt që po zhvillohet nga opozita dhe Alenaca për Mbrojtjen e Teatrit pritet të zgjasë deri në orën 20:00.

Dera kryesore e bashkisë është "blinduar", duke u vendosur disa përforcues, nëse protestuesit tentojnë që të hyjnë brenda.

Ashtu si në protestat e kaluara, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit të korrupsionit me kompaninë 5D dhe arrestimit të drejtorëve dhe ish-drejtorëve të bashkisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd