Transmetuar më 26-04-2024, 08:40

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se më shumë se gjysma e botës mund të jetë në rrezik nga infektimi me sëmundjet e transmetueshme nga mushkonjat.

Siç kanë paralajmëruar ekspertët, shpërthimet e shkaktuara nga mushkonjat dhe të nxitura nga ngrohja globale, do të përhapen gjatë dekadave të ardhshme në pjesë të Evropës veriore dhe rajone të tjera të botës.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA) tha se vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, rastet me malarie kanë arritur deri në 2000, për herë të parë në 20 vite. Në vitin 2023, në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, u konfirmuan 2,004 raste me malarie.

Një nga arsyet e përhapjes së sëmundjeve thuhet se është edhe ajo e udhëtimeve pas pandemisë. Ndërkohë, numri i rasteve me dengë të raportuara në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është rritur dhjetëfish në dy dekadat e fundit, nga 500 mijë në mbi 5 milionë.

Mushkonjat që e bartin dengën kanë pushtuar 13 vende evropiane që nga viti 2000, me përhapjen e parë të sëmundjes në Francë, Itali dhe Spanjë. Studiuesit paralajmërojnë se popullsia në rrezik nga malaria dhe denga mund të rritet deri në 2.4 miliardë persona të tjerë deri në vitin 2100. Gjetjet u prezantuan në Kongresin Global të ESCMID në Barcelonë, Spanjë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd