Transmetuar më 17-05-2024, 12:37

Trajneri gjerman nuk tërhiqet dhe konfirmon se do të largohet nga pankina e Bayern Munich në fund të sezonit. Nuk ka “votëbesim” të Thomas Tuchel në stolin bavarez, sikurse kërkuan disa “senatorë” së fundi, ndaj Bayern Munich duhet të vazhdojë kërkimin për tjetër trajner në sezonin 2024-2025.

Pas serisë së gjatë të refuzimeve të marra javët e fundit, edhe Tuchel i tha “jo” klubit nga “Allianz Arena”. Ditët e fundit drejtuesit ishin përpjekur ta bindnin trajnerin për të qëndruar, të shtyrë edhe nga një pjesë e skuadrës. Megjithatë, Tuchel ka konfirmuar se do të largohet nga pankina në fund të këtij sezoni, sikurse e kishte marrë vendimin klubi bavarez në muajin shkurt.

"Kjo është konferenca ime e fundit për shtyp si trajner i Bayernit. Kemi pasur negociata për të vazhduar së bashku, por nuk kemi arritur një marrëveshje. Kësisoji, vendimi i muajit shkurt qëndron ende", – tha Tuchel të premten, më 17 maj, në konferencën për shtyp.

Siç u përmend, refuzimi i Tuchel është i radhës për stolin e Bayern Munich, i cili muajt e fundit kishte eksploruar Xabi Alonson, Nagelsmann dhe Rangnick. I pari, megjithatë, ka vendosur të qëndrojë në Leverkusen, ndërsa dy të fundit do të vazhdojnë si trajnerë kombëtaresh, përkatësisht të Gjermanisë dhe Austrisë.

Ëndrra e Tuchel, pas eksperiencës jo fort pozitive me bavarezët, do të ishte rikthimi në Premier League, ku tashmë ka drejtuar Chelsea. Trajneri gjerman thuhet se ka përfunduar në “radarët” e Manchester United, ku mund të zëvendësojë Ten Hag.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd