Transmetuar më 04-05-2024, 10:00

Marco Reus nuk do të luajë më për Borussia Dormtund. Në fund të kontratës, e cila skadon më 30 qershor, futbollisti gjerman do t’i thotë lamtumirë skuadrës me të cilën luajti 12 vitet e fundit për të nisur një pjesë të re të karrierës së tij.

Lamtumira zyrtare e Reus erdhi përmes një mesazhi të publikuar nga kanalet zyrtare të Borussia Dortmundit, i cili në vetëm pak sekonda u bë "viral" në të gjithë botën, duke shkaktuar pakënaqësi të tifozëve verdhezinj e më gjerë.

“Borussia Dortmund dhe kapiteni i saj historik Marco Reus kanë rënë dakord reciprokisht për të mos e vazhduar kontratën, e cila skadon në fund të sezonit”, – ishte mesazhi konfirmues i klubit verdhezi për ndarjen me numrin 11.

Në moshën 35-vjeçare, Reus është ende një lojtar i rëndësishëm, por mbetet e paqartë nëse do ta vazhdojë karrierën e tij në një klub të madh evropian apo do të vazhdojë në Bundesligë me ish-skuadrën e vet, Borussia Monchengladbach.

Sipas asaj që raportohet nga "Bild", ai mund të rikthehet te Monchengladbach, skuadra për të cilën luajti midis viteve 2009 dhe 2012. “Jam tepër mirënjohës dhe krenar për momentet e mia me Borussia Dortmund, – tha Reus.

– E kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në këtë klub, e kam shijuar çdo ditë, edhe pse padyshim që ka pasur momente të vështira. Tashmë e di se do të jetë e vështirë për mua t’ju them lamtumirë në fund të sezonit.

Megjithatë, jam i lumtur që tani ka qartësi dhe mund të përqendrohemi plotësisht te ndeshjet e rëndësishme ende në pritje. Ne kemi një qëllim të madh në mendje dhe duam ta arrijmë të gjithë së bashku.

Për këtë na nevojiten të gjithë fansat tanë të jashtëzakonshëm, të cilët do të doja t’i falënderoja për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme ndër vite”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd