Transmetuar më 03-05-2024, 14:00

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike dhe veçon faktin se Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian.

Serbia dhe Shqipëria kanë ndryshuar kategori në hartën e Indeksit, duke kaluar nga “problematike” – e cila është kategoria e tretë nga 5 të tilla – në zonën “e vështirë”, që është kategoria e katërt. Në kategorinë më poshtë, në të pestën, gjenden shtetet me qeveri diktatoriale apo ato me diktatura totalitare.

Raporti thotë se në Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias. Në Indeksin që përfshin 180 vende, vendi ynë radhitet në vendin e 99-të. Kurse Kosova radhitet e 75-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre", – veçon raporti.

Gjendja e Shqipërisë vlerësohet ndjeshëm më keq se sa në vitin 2022 veçanërisht për shkak të treguesit të gjendjes së sigurisë së gazetarëve. Rënia në këtë tregues lidhet veçanërisht me ngjarjen e pazbardhur të atentatit me armë ndaj Top Channel në mars të vitit të kaluar, në të cilin, një roje humbi jetën. Që nga ajo kohë, autoritetet shqiptare nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë autorët dhe motivin e sulmit, gjë që në vetvete përbën një pasiguri të shtuar për gazetarët dhe punonjësit e medias.

Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë.

“Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.

Sipas z. Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale. Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.

Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.

Sipas tij,”kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon.

Shënimi për Shqipërinë vëren se politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale të medias ndërsa shënjon si veçanërisht shqetësuese politizimin e rregullatorit të medias nga qeveria “Rama” përmes zgjedhjes së Armela Krasniqit si kryetare dhe politizimit të mëtejshëm të televizionit publik shqiptar përmes emërimit si drejtor të ish-deputetit socialist Alfred Peza.

“Gazetarët kritikë shpesh bëhen shënjestër sulmi që synon t’i diskretitojë ata dhe që organizohen si nga qeveria ashtu edhe nga opozita,” thotë RSF. “Gazetarët kanë vështirësi në sigurimin e informacionit të mbajtur nga shteti, aksesi në të cilin mund të jetë kufizuar edhe më shumë nga një centralizim i kohëve të fundit të komunikimeve të qeverisë”, vëren më tej organizata duke iu referuar krijimit të Agjencisë së Medias dhe Komunikimit nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në vitin 2022.

RSF shënjestron me kritikë jo vetëm qeverinë dhe opozitën por edhe Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK. Puna e SPAK u konsiderua si shqetësuese për lirinë e medias për shkak të kërkesës së prokurorisë dhe urdhrave të gjykatës së posaçme për sekuestrimin e materialeve të punës të gazetarit Elton Qyno. Raporti cilësoi gjithashtu si “kontrovers” dhe të pavend vendimin e një prokurori për të urdhëruar median të mos raportonte mbi sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore në vitin 2022. Në atë rast, prokuroria njoftoi se ka shpallur “sekret hetimor” të gjitha materjalet e rrjedhura online nga hakerat e dyshuar iranianë. Urdhri, i cili gjerësisht u injorua dhe injorimi i të cilit nuk u pasua nga akuza për shkelje kundër gazetarëve, u konsiderua si një tejkalim kontrovers i autoritetit të prokurorisë.

Si e shfrytëzon Rama mundësinë për të rregulluar imazhin pas raportit të zi

Raporti i publikuar sot, ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama. Për herë të parë, Rama shfaqet kokulur pas raportesh të tilla dhe thotë madje se do të marrë masa.

Ndërsa njihet gjerësisht përmes daljeve publike si prepotent dhe i ashpër me mediat, gazetarët dhe pronarët e subjekteve televizive, Rama sot thotë në një reagim të posaçëm se "ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve".

Ndërsa përpiqet të gjejë ngushëllim te një pikë e raportit global që thotë se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën, Rama madje e shfrytëzon këtë moment për të dhënë kontribut me ndikim global: "Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi".

Çfarë thotë Raporti

Në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

“Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, "problematik", "të vështirë" ose "shumë të rrezikshëm".

Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.

Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor".

Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.

Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd