Transmetuar më 03-05-2024, 11:28

Mëngjesin e djeshëm opinioni publik është tronditur nga një ngjarje horror, kur dy të moshuar që jetonin të vetëm janë gjendur të masakruar në banesën e tyre.

Ngjarja ndodhi në fshatin Bodrisht të Dropullit, ku dy të moshuarit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u gjetën nga fqinjët me shenja dhune në trup.

Alarmi u dha nga motra e Kleoniqit, e cila u shqetësua pasi nuk kishte kontakt me të motrën që prej pasdites së të mërkurës. Ajo telefonoi fqinjën e çiftit dhe i kërkoi që t’i kontrollonte dhe kur gruaja shkoi në shtëpi, i gjeti dy të moshuarit të vdekur. Fillimisht u gjet 84-vjeçari Kosta në oborri ne shtëpisë, me një plagë në pjesën e pasme të kokës, e më pas 88-vjeçarja Kleoniqi brenda shtëpisë, me shumë shenja dhune në trup.

Pista e parë që u ngrit nga policia ishte ajo e një grabitjeje me dhunë, por kjo pistë ra shpjet poshtë, pasi në banesë nuk kishte shenja të hyrjes me forcë, e po ashtu nuk mungonte asgjë. Madje, të moshuarit iu gjet një shumë parash në xhep, që ishin paratë e pensionit të cilin ai e merrte në Greqi.

Pas kësaj, policia dyshoi se dy të moshuarit kishin dhunuar njëri-tjetrin pas një konflikti të mundshëm mes tyre, përforcuar kjo edhe nga fakti se, sipas banorëve të fshatit, i moshuari kohët e fundit vuante nga probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, ky fakt nuk është ende i provuar zyrtarisht.

Pas hetimeve intensive dhe pas marrjes në pyetje të banorëve të zonës, policia ka bërë dhe shoqërimet e para, teksa mësohet se 3 persona po pyeten në komisariat. Bëhet fjalë për dy banorë të këtij fshati dhe një bari. Shoqërimi i tyre është bërë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin brutal.

Deri më tani grupi hetimor nuk ka gjetur armen e krimit, me të cilën mund të jenë dhunuar dy viktimat.

“Rreth orës 08:00 janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd