

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti turistik i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner do të vijojë pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve që kanë shoqëruar zhvillimin e tij në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit.
Në një intervistë për Associated Press, Rama hodhi poshtë pretendimet se mund të tërhiqet nga projekti, duke theksuar se ai përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimi për Shqipërinë dhe për tërheqjen e investimeve të mëdha ndërkombëtare.
Kryeministri tregoi edhe se si lindi interesi i Kushnerit për të investuar në Shqipëri. Sipas tij, gjithçka nisi gjatë një darke në jug të vendit me Jared Kushner, bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe miq të tyre, të cilët kishin ndaluar në Durrës gjatë një udhëtimi me jaht.
“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të gjenim një mundësi për të investuar”, kujtoi Rama fjalët që, sipas tij, i kishte thënë Kushner disa muaj më vonë gjatë një takimi në Davos të Zvicrës.
Projekti, i cili ka marrë statusin e investimit strategjik, përfshin zhvillimin e një resorti luksoz në zonën e Lagunës së Nartës dhe një kompleks turistik në ishullin e Sazanit.
Ndërsa protestat kundër projektit vijojnë prej ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera, Rama argumentoi se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk ka nisur, pasi planifikimi vazhdon të jetë në zhvillim.
“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka projekt përfundimtar dhe rrjedhimisht nuk ka nisur ende vlerësimi i ndikimit në mjedis”, u shpreh ai.
Kryeministri mbrojti gjithashtu politikat e qeverisë për mbrojtjen e natyrës, duke përmendur moratoriumin e gjuetisë dhe masat për ruajtjen e biodiversitetit, të cilat sipas tij kanë kontribuar në rikthimin e shumë specieve të egra, përfshirë flamingot.
Rama deklaroi se një pjesë e debatit publik rreth projektit është ndikuar nga dezinformimi dhe manipulimi, ndërsa shtoi se qeveria mbetet e vendosur për të çuar përpara investimet strategjike që synojnë zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






