Transmetuar më 09-06-2026, 22:54

Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat kanë mobilizuar mijëra qytetarë në Tiranë dhe qytete të tjera, kanë sjellë jo vetëm debat të fortë politik brenda vendit, por edhe një përplasje diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, kryeministri Edi Rama ka akuzuar Teheranin për përfshirje në një fushatë dezinformimi lidhur me projektin turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit. Rama pretendon se pas disa narrativave që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe media qëndrojnë interesa të lidhura me Iranin, duke e cilësuar situatën pjesë të një “lufte hibride”.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë këto akuza. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se qeveria shqiptare po përpiqet të shmangë debatet e brendshme duke fajësuar aktorë të jashtëm.

Përplasja vjen në një kohë kur protestuesit kundërshtojnë projektin e resortit luksoz të planifikuar nga Affinity Partners, kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Kundërshtarët e projektit argumentojnë se investimi rrezikon një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike dhe kërkojnë anulimin e tij.

Rama ka reaguar duke theksuar se nuk ekziston asnjë plan për cenimin e zonave të mbrojtura dhe se projekti ndodhet ende në faza procedurale, ndërsa ka kujtuar edhe sulmet kibernetike që Shqipëria ia ka atribuar Iranit në vitet e fundit.

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se tensionet nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por paralajmërojnë se vendi mund të mbetet objekt i përpjekjeve për ndikim përmes dezinformimit.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka kërkuar respektimin e standardeve mjedisore dhe transparencë të plotë për projektin, duke theksuar se çdo zhvillim në zonat e mbrojtura duhet të jetë në përputhje me legjislacionin europian.

Protestat, që nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, me kërkesa për transparencë, mbrojtje të mjedisit dhe ndryshime politike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit