Transmetuar më 09-06-2026, 22:49

TIRANË – Një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile kanë depozituar në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesën për t’u pajisur me formularin zyrtar për mbledhjen e firmave mbështetëse të një nisme ligjvënëse që synon ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Dokumenti, i dorëzuar nga nisma “Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale”, mban firmat e 10 aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët synojnë të mbledhin të paktën 20 mijë firma qytetarësh për ta çuar projektligjin përpara institucioneve përgjegjëse.

Mes nënshkruesve të kërkesës janë Kristaq Kume, Andi Tepelena, Edlira Çepani, Rezarta Caushaj, Edmond Çata, Etleva Merko, Gerta Meta, Ilir Aliaj, Rigels Xhemollari dhe Silvana Bello.

Sipas dokumentit të depozituar në KQZ, iniciatorët parashikojnë që procesi i mbledhjes së firmave të zgjasë tre muaj nga momenti kur institucioni zgjedhor të miratojë formularin tip.

“Periudha për mbledhjen e firmave të zgjedhësve, mbështetës të kësaj nisme ligjvënëse, do të jetë 3 muaj, nga data e vendimit tuaj për të na pajisur me fletën tip”, thuhet në kërkesë.

Nisma synon të sigurojë mbështetjen e nevojshme qytetare për paraqitjen e një pakete ndryshimesh në Kodin Zgjedhor, duke ndjekur procedurat e përcaktuara në legjislacionin shqiptar për nismat ligjvënëse qytetare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit