Transmetuar më 09-06-2026, 22:20

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka shkruar historinë mbrëmjen e së martës, duke mposhtur 5-2 Malin e Zi në stadiumin Loro Boriçi dhe duke siguruar për herë të parë kualifikimin në raundin e parë të play-off-it për FIFA Women’s World Cup 2027.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse, duke përmbysur rezultatin dhe dominuar sfidën përballë tifozëve shqiptarë.

Ndeshja nisi me raste të shumta për kuqezinjtë, por ishte Mali i Zi që kaloi i pari në avantazh në minutën e 20-të. Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm, teksa kapitenia Megi Doçi barazoi nga pika e bardhë në minutën e 22-të, pasi portierja kundërshtare u ndëshkua me karton të kuq.

Megjithatë, malazezet rikthyen avantazhin në fundin e pjesës së parë, por vetëm pak çaste më vonë Fortesa Berisha vendosi sërish ekuilibrat, duke mbyllur 45 minutat e para në shifrat 2-2.

Në pjesën e dytë, Shqipëria dominoi plotësisht takimin. Dopieta e Megi Doçit në minutën e 63-të solli përmbysjen, ndërsa më pas realizuan edhe Gresa Berisha dhe Arbiona Bajraktari, duke vulosur fitoren spektakolare 5-2.

Falë këtij suksesi, Kombëtarja shqiptare e vajzave siguron kualifikimin në play-off-in e Botërorit 2027, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B.

Një mbrëmje historike për futbollin e vajzave në Shqipëri dhe një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të këtij sporti në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit