

Kryeministri Edi Rama ka vijuar ironitë ndaj influencerëve dhe blogerëve gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Fier, duke komentuar edhe një incident teknik gjatë aktivitetit, ku mikrofoni nuk funksionoi për disa momente.
“Te unë e gjetët të ngecte mikrofoni. Doni që të thonë blogerët që i iku goja Ramës, se ata në fakt kanë shumë gojë”, u shpreh Rama, duke iu referuar reagimeve të mundshme në rrjetet sociale.
Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi gjithashtu se Fieri mbetet një nga qendrat kryesore të socialistëve, ndërsa solli në vëmendje historikun e marrëdhënieve politike në këtë qark.
Rama komentoi edhe protestat e ditëve të fundit në Tiranë, të lidhura me çështje mjedisore dhe projektet zhvillimore në vend, duke mbrojtur politikat e qeverisë për mbrojtjen e zonave natyrore.
Ai përmendi ndalimin e gjuetisë dhe, sipas tij, përmirësimin e gjendjes së ekosistemeve në vend, përfshirë lagunat dhe zonat e mbrojtura si Karavastaja dhe lumi Vjosa, i shpallur Park Kombëtar.
Kryeministri kritikoi sërish influencerët dhe mënyrën se si, sipas tij, trajtohen këto tema në rrjetet sociale, duke i lidhur me keqinformimin dhe perceptimet e krijuara online.
“Protestojnë për mjedisin dhe parkojnë makinat në rërë. Dalin në Instagram me lloj-lloj postimesh… kjo është të kesh dy b***, një ta mbash e një ta çash”, u shpreh Rama, duke iu referuar sjelljes në rrjetet sociale dhe në protesta.
Ai theksoi se Shqipëria, sipas tij, ka bërë përparim në mbrojtjen e natyrës dhe në menaxhimin e zonave të mbrojtura, ndërsa shtoi se debati publik duhet të bazohet në fakte dhe jo në narrativa të rrjeteve sociale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






