

Në Tiranë është zhvilluar dita e 10-të e protestës së organizuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë, të cilët vijojnë kundërshtimin ndaj projektit në zonat e mbrojtura.
Tubimi nisi në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u mblodhën fillimisht përpara se të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Më pas, ata u ndalën për rreth dy orë përpara Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe artikuluan kërkesat e tyre, përpara se të vijonin marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të ndryshme politike dhe qytetare, përfshirë “Shqipëria është e shqiptarëve”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.
Paralelisht me Tiranën, protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën dhe Elbasanin.
Sipas organizatorëve, protesta ka nisur fillimisht si reagim kundër një projekti turistik në zonat e Pishë Poros dhe Sazanit, por më pas është zgjeruar në një lëvizje më të gjerë qytetare. Ata kanë bërë të ditur se vijojnë të kërkojnë pesë pika kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, anulimin e Paketës së Maleve, rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke theksuar se kërkesat mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, zhvillimet rreth projektit në zonën Pishë Poro–Nartë po ndiqen edhe nga institucionet ndërkombëtare. Komisioni Europian ka deklaruar se po monitoron situatën dhe se shqetësimet i janë përcjellë Ministrisë së Mjedisit, ndërsa është theksuar nevoja për një vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor dhe konsultim me shoqërinë civile.
Sipas njoftimeve, punimet në zonë janë pezulluar, ndërsa projekti mbetet nën shqyrtim institucional dhe ligjor, përfshirë edhe hetimet që po zhvillohen nga SPAK.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një projekt të miratuar përfundimisht, por për një proces konsultimi dhe shprehjeje interesi, duke e cilësuar investimin si një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.
SPAK, ndërkohë, ka nisur hetime dhe verifikime lidhur me çështjen, përfshirë edhe transaksione financiare dhe dokumentacion pronësor që lidhet me sipërfaqet e tokës në zonë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






