Transmetuar më 09-06-2026, 19:37

Një protestë masive është zhvilluar në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime politike.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur thirrje të ndryshme kundër figurave kryesore të politikës, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Sali Berisha, ndërsa janë dëgjuar edhe thirrje për “qeveri teknike” dhe “rrëzimin e sistemit aktual politik”.

Organizatorët e protestës kanë kërkuar nga pjesëmarrësit të qëndrojnë të bashkuar dhe të shmangin provokimet, duke deklaruar se protesta nuk përfaqëson interesat e partive politike.

Gjatë fjalës së tij, një prej organizatorëve u shpreh se protesta nuk lidhet vetëm me çështje simbolike, por me problematikat e qytetarëve, duke përdorur edhe një referencë ndaj debatit të ditëve të fundit.

“Protesta nuk është vetëm për flamingot, por edhe për 1001 hallet që ka populli shqiptar. Ndaj sot bashkohet në protestë edhe flamuri amerikan. Rrini të bashkuar, sepse politikanët i ka kapur paniku”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, sipas tij, opozita dhe aktorë të ndryshëm politikë po përpiqen të ndikojnë apo të përfitojnë nga protesta.

“Edhe opozita është e shitur dhe po tenton të kapë protestën. Shqipëria nuk është e shitur. Opozita ka humbur shansin historik për t’u pastruar nga pengmarrja”, deklaroi organizatori.

Më tej, ai bëri thirrje për krijimin e një force të re politike dhe për bashkimin e qytetarëve, përfshirë edhe punonjësit e administratës publike.

“Qëllimi madhor është rrëzimi i këtij sistemi, dorëheqja dhe krijimi i një qeverie teknike”, u shpreh ai.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të shumta si “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Edi Rama dorëhiqu” dhe “Shqipëri e re”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit