

Zbulimi i 7,446 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në fshatin Reç i Ri, në Njësinë Administrative Velipojë, ka sjellë masa të menjëhershme administrative ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit përgjegjës për territorin ku u konstatuan parcelat.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, janë pezulluar nga detyra tre punonjës policie, ndërsa ka nisur hetimi disiplinor për të verifikuar përgjegjësitë lidhur me moskonstatimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Të pezulluarit janë:
Kryekomisar Bekim Lika, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër; Nënkomisar Zef Marku, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; Inspektor Samet Kadroji, Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u zbuluan bimët narkotike.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor edhe ndaj dy punonjësve të tjerë të Policisë së Velipojës, të cilët ishin pjesë e strukturave të kontrollit të territorit.
Sipas Policisë së Shtetit, parcelat me kanabis u zbuluan pas një informacioni të mbërritur në adresën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Menjëherë pas marrjes së informacionit u organizua ndërhyrja në terren për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, si dhe për nisjen e hetimeve me qëllim identifikimin e autorëve të kultivimit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, krahas procedurave administrative ndaj punonjësve të policisë, vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Policia e Shtetit theksoi se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike mbetet një prioritet kombëtar dhe se çdo rast neglizhence apo mosveprimi nga ana e strukturave policore do të trajtohet me masa të rrepta disiplinore dhe ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






