Transmetuar më 09-06-2026, 17:29

Një operacion i Policisë së Shtetit në zonën e Velipojës ka çuar në zbulimin dhe asgjësimin e 7,446 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në fshatin Reç i Ri, në Njësinë Administrative Velipojë.

Pas konstatimit të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të tre punonjësve të policisë, të cilët mbulonin territorin ku u zbuluan parcelat me bimë narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, janë pezulluar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Shkodër, Kryekomisar B. L., Shefi i Stacionit të Policisë Velipojë, Nënkomisar Z. M., si dhe Ndihmësspecialisti i Policimit në Zonë, Inspektor S. K., përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.

Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor ndaj dy efektivëve të tjerë të Policisë së Velipojës, të cilët ishin pjesë e grupit të kontrollit të territorit. Bëhet fjalë për Nënkomisar D. N., Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor E. I., Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë. Për këta punonjës është vendosur vijimi i hetimit disiplinor pa masë pezullimi nga detyra.

Sipas Policisë së Shtetit, ndërhyrja u ndërmor menjëherë pas marrjes së një informacioni në adresën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku denoncohej kultivimi i mijëra bimëve narkotike në një territor të hapur dhe lehtësisht të verifikueshëm në zonën fushore të Reçit të Ri.

Paralelisht me asgjësimin e bimëve narkotike, autoritetet kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në kultivimin e tyre.

Policia e Shtetit theksoi se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit dhe se çdo rast i neglizhencës apo mospërmbushjes së detyrës nga punonjësit e policisë do të trajtohet me masa të rrepta administrative dhe ligjore.

Autoritetet kanë garantuar se aksionet kundër kultivimit të lëndëve narkotike do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit, ndërsa përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht funksionit që ushtrojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit