

Një 42-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Itali në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas autoriteteve, arrestimi i Sefer Selimajt, i njohur edhe me identitetin Ani Ibraliu, u bë i mundur falë bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Selimaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Tiranës e ka dënuar në vitin 2017 me 15 vjet burgim për veprën penale të “Trafikimit të qenieve njerëzore”.
Nga dënimi i dhënë, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet, 10 muaj dhe 19 ditë burgim.
Policia bëri të ditur se aktualisht vijojnë procedurat ligjore dhe koordinimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për finalizimin e ekstradimit të të arrestuarit në Shqipëri.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
Njoftimi i policisë:
"Policia e Shtetit/ I dënuar me 15 vjet burgim, për trafikim të qenieve njerëzore, arrestohet në Itali, 42-vjeçari. Gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, u arrestua në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Sefer Selimaj alias Ani Ibraliu, 42 vjeç.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, në vitin 2017, e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”. Nga dënimi, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 10 muaj dhe 19 ditë burgim. Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 42-vjeçarit, në Shqipëri.", njoftoi Policia
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






