Transmetuar më 09-06-2026, 17:14

Përplasja diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit është ashpërsuar më tej, pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi Iranin për dezinformim dhe zhvillim të një lufte hibride kundër Shqipërisë.

Përmes një postimi në platformën X, Baghaei i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare të “qetësohej”, duke theksuar se ishte vetë Rama ai që kishte nisur publikisht përplasjen mes dy palëve.

“Qetësohuni, zoti kryeministër. Ishit ju që e nisët këtë. Prandaj duhet të përballeni me pasojat”, shkroi zyrtari iranian.

Në reagimin e tij, Baghaei akuzoi kryeministrin shqiptar se po përdor Iranin si argument për të shmangur kritikat dhe pakënaqësitë e qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisjes.

“Do të ishte më e mençur të tregonit respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj. Ata janë mjaftueshëm të zgjuar për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta”, u shpreh ai.

Më tej, zëdhënësi i diplomacisë iraniane deklaroi se vendimet që prekin sovranitetin e një vendi janë përgjegjësi e vetë qeverive përkatëse dhe se reagimet e opinionit publik nuk duhet t’u atribuohen faktorëve të jashtëm.

“Kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, mos përdorni të tjerët si kokë turku për të shmangur llogaridhënien”, theksoi Baghaei.

Në fund të mesazhit të tij, ai iu referua protestave të zhvilluara në Shqipëri, duke i bërë thirrje Ramës të dëgjojë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve.

“Në vend që të publikoni një pamflet të gjatë me akuza të pabaza ndaj Iranit, dëgjoni njerëzit tuaj që po thërrasin në rrugë: ‘Jo korrupsionit!’, ‘Duam drejtësi!’ dhe ‘Rama ik!’”, deklaroi ai.

Reagimi i Teheranit vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi Iranin për përhapje narrativesh të rreme lidhur me debatin mbi projektin turistik në Zvërnec dhe për përfshirje në një fushatë të ashtuquajtur lufte hibride kundër Shqipërisë.

Në qëndrimin e tij, Rama rikujtoi edhe sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare, për të cilat autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kanë fajësuar aktorë të lidhur me regjimin iranian.

Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk do të intimidohet nga kërcënimet apo fushatat e dezinformimit dhe se do të vazhdojë të mbrojë vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtën e azilit.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm ditët e fundit, pasi autoritetet iraniane hodhën poshtë akuzat e Ramës dhe ironizuan pretendimet për përfshirje në debatin mbi Zvërnecin, duke deklaruar se “ndoshta herën tjetër do të thuhet se edhe flamingot janë agjentë sekretë iranianë”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit