

SHKODËR, 9 qershor 2026 – Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një person të dyshuar për përfshirje në dhunimin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Romir Haderi.
Sipas burimeve policore, i arrestuari është Elis Çela, banues në lagjen “Kiras”, i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e ngjarjes duke transportuar me automjet autorin e dyshuar të sulmit.
Hetimet kanë çuar gjithashtu në identifikimin e personit që dyshohet si autori kryesor i agresionit ndaj drejtorit të AKU-së. Ky shtetas është shpallur në kërkim, ndërsa strukturat e policisë vijojnë operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku Romir Haderi u sulmua nga një person i paidentifikuar, i cili e goditi me një send të fortë dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e sulmit, Haderi pësoi një dëmtim në zonën e vetullës dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, u kthye në banesë.
Një ditë pas incidentit, drejtori i AKU-së reagoi publikisht, duke deklaruar se sulmi nuk do ta ndalonte në ushtrimin e detyrës së tij.
Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, ngjarja mund të lidhet me detyrën e zyrtarit të AKU-së. Burime nga hetimi bëjnë me dije se personat e përfshirë dyshohet se kanë vepruar kundrejt pagesës, ndërsa porositësit e mundshëm të sulmit ende nuk janë identifikuar.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit dhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






