

TIRANË, 9 qershor 2026 – Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka komentuar protestat kundër projektit turistik në Zvërnec gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të huaj, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë në vitet e fundit.
I pyetur nëse zgjerimi i protestave përbën shqetësim për qeverinë, Rama u shpreh se Shqipëria është një vend i lirë dhe se qytetarët duhet të kenë mundësinë të shprehin pakënaqësitë e tyre pa pengesa.
“Kam qenë vetë pjesëmarrës në protesta dhe e njoh mirë ndjesinë kur është e vështirë të protestosh. E di edhe shijen e gjakut kur protestat zhvillohen në një mjedis jo të lirë”, deklaroi ai, duke iu referuar ngjarjeve të vitit 2011, kur katër protestues humbën jetën gjatë demonstratave në bulevardin kryesor të Tiranës.
Kryeministri theksoi se incidenti i dhunshëm i regjistruar gjatë protestave në Zvërnec u trajtua me masa të menjëhershme nga autoritetet. Sipas tij, roja i përfshirë në ngjarje është arrestuar, drejtori i Policisë së Vlorës është shkarkuar, ndërsa efektivët që ndodheshin në terren dhe nuk ndërhynë janë vënë nën hetim. Gjithashtu, kompanisë së sigurisë që kishte në punësim rojën i është hequr licenca.
Sipas Ramës, publikimi i videos së incidentit në rrjetet sociale ndikoi në rritjen e debatit publik, duke e zgjeruar diskutimin përtej ngjarjes konkrete dhe duke e kthyer atë në një debat më të gjerë mbi projektin dhe çështje të tjera të lidhura me të.
“Protesta u shndërrua në një lëvizje me thirrjen ‘anuloni projektin’. Unë thashë: po, por më tregoni projektin”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë argumentoi se debati publik është ndikuar nga informacione të pjesshme dhe interpretime të ndryshme, duke shtuar se shpesh “gjysma të vërtetash mund të kthehen në gënjeshtra të mëdha” dhe të ndikojnë perceptimin publik për çështje të caktuara.
Projekti në Zvërnec ka nxitur reagime dhe protesta nga grupe qytetarësh dhe aktivistësh, të cilët kërkojnë transparencë më të madhe dhe rishikimin e planeve të zhvillimit në zonë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






