

SARANDË, 9 Qershor 2026 – Ambientet përpara bashkisë së Sarandës janë përfshirë nga tensione dhe përplasje të forta ditën e sotme, pasi një grup taksistësh të licencuar të qytetit bregdetar kanë zhvilluar një protestë për të kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve lokale në rregullimin e aktivitetit të tyre.
Taksistët kanë depozituar pranë institucionit një kërkesë-ankesë zyrtare, ku ngrenë shqetësimin e konkurrencës së paligjshme.
Sipas protestuesve, automjete të shumta që vijnë nga qytete të tjera, specifikisht nga Tirana, Delvina, Finiqi dhe Konispoli, po ushtrojnë aktivitet taksi në mënyrë të paligjshme brenda territorit të Sarandës, pa pasur licencat përkatëse dhe pa iu nënshtruar asnjë kontrolli nga institucionet lokale.
Përveç kësaj, ata kanë denoncuar praninë e mjeteve krejtësisht pirate (pa asnjë dokumentacion) si dhe mungesën akute të stacioneve të dedikuara të parkimit për taksitë e licencuara të qytetit.
Situata ka degraduar në debate të ashpra dhe përplasje verbale në momentin kur protestuesit kanë tentuar të futen forcërisht brenda mjediseve të bashkisë për t’u takuar me kreun e institucionit. Ata janë bllokuar në hyrje nga punonjësit e sigurisë dhe Policia Bashkiake, çka ka krijuar momente të forta tensioni.
Pas këtyre përplasjeve, situata është qetësuar dhe ka kaluar në rrugë institucionale, teksa një përfaqësi e taksistëve në protestë është pritur zyrtarisht në një takim nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, për të diskutuar mbi zgjidhjen e këtyre problematikave përpara nisjes së pikut të sezonit turistik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






