Transmetuar më 09-06-2026, 14:07

TIRANË, 9 Qershor 2026 – Pesë ditë pas zhdukjes pa gjurmë të 34-vjeçarit Eglant Koçi, dyshimet janë rritur se ai mund të jetë vrarë.

Sipas të dhënave të fundit hetimore që citon Top Channel, i riu dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj.

41 vjeçari dyshohet se pas krimit e ka zhdukur trupin e viktimës dhe vetë është larguar në drejtim të paditur.

Këqyrja e kamerave të sigurisë ka qenë vendimtare për zbardhjen e itinerarit të fundit të Koçit, i cili paraditen e 4 qershorit ka lëvizur nga sheshi “Wilson” drejt Bulevardit “Zhan D’Ark”.

Ai është futur në ambientet e një lokali në pronësi të Shakajt dhe nuk ka dalë më që andej gjallë.

Dyshimet e deritanishme të hetuesve të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës lidhen me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari posedonte në aparatin e tij celular. Kjo pistë po konsiderohet si një nga motivet kryesore që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.

Grupi hetimor ka mbledhur prova materiale në terren që hedhin dyshime në pistën e vrasjes.

Dyshohet se trupi i pajetë i 34-vjeçarit është nxjerrë nga mjedisi dhe është transportuar me një automjet drejt periferisë së kryeqytetit, ku blutë po vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e tij.

Dëshmitar në këtë ngjarje të rëndë rezulton të ketë qenë shtetasi Enea Zyferi, 25 vjeç, i cili punonte si kamarier në lokalin e autorit të dyshuar dhe që tashmë është arrestuar nga policia si bashkëpunëtor për përkrahje të autorit të krimit.

Ndërkaq, për të humbur gjurmët, 41-vjeçari Armand Shakaj ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi i ngjarjes drejt rrugës “5 Maji”, ku u gjet i braktisur dy ditë më vonë.

Eglant Koçi

Ndonëse zyrtarisht Eglant Koçi figuronte i punësuar në një mobileri, policia ka fokusuar hetimet në aktivitetin e kriptomonedhave dhe transaksioneve me para cash ku viktima dyshohet se ishte i përfshirë, si motivi kryesor i këtij ekzekutimi. Armand Shakaj mbetet ende në kërkim policor. TCh

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit