Transmetuar më 09-06-2026, 13:34

Tiranë, zhvillime në rastin e 34-vjeçarit të zhdukur, identifikohet dhe shpallet në kërkim një 41-vjeçar

Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit Eglant Koçi, 34 vjeç, i cili u denoncua si i humbur nga familjarët më 5 qershor 2026. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë, është bërë i mundur identifikimi i një 41-vjeçari, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.

Sipas Policisë, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim shtetasi Armand Shakaj,, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga hetimet e deritanishme është bërë e mundur gjetja e motomjetit të shtetasit Eglant Koçit, si dhe identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku ai rezulton të ketë hyrë. Sipas të dhënave hetimore, nga ky ambient më pas ka dalë autori i dyshuar, i cili dyshohet se mund ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin duke e transportuar me automjet.

Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se mbahej 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe zona të ndryshme, por deri në këtë fazë nuk është bërë ende e mundur gjetja e tij.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të të njëjtit hetim, është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit Eglant Koçi, ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Armand Shakaj, i shpallur në kërkim.

Autoritetet bëjnë me dije se, për shkak se hetimet janë ende në zhvillim dhe për të mos cenuar ecurinë e tyre, në këtë fazë nuk mund të publikohen të gjitha rezultatet e grumbulluara deri tani.

Policia ka njoftuar se informacion më i plotë do të bëhet publik në vijim, në varësi të ecurisë së hetimeve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit