Transmetuar më 09-06-2026, 12:09

Publikimi i tezave, Ministria: Nuk ndikon në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Pas publikim të Variantit B të tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë vetëm pak minuta nga nisja e provimit, Ministria e Arsimit ka reaguar me të njëjtën linjë mbrojtëse si në vitet e kaluara.

Përmes një deklarate zyrtare, dikasteri i arsimit ka këmbëngulur se ky akt i izoluar nuk ndikon në asnjë mënyrë në mbarëvajtjen, zhvillimin apo integritetin e provimit, i cili sipas tyre po vijon normalisht në të 144 qendrat e testimit në mbarë vendin.

Sipas njoftimit zyrtar, rrjedhja e fotografive të testit ka ndodhur nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit.

Autoritetet konfirmuan se maturanti përgjegjës është identifikuar dhe përjashtuar menjëherë, ndërsa u paralajmëruan penalizime të ashpra për të gjithë zinxhirin e administratorëve të përfshirë në atë qendër. Ministria dënoi aktin duke u shprehur se një veprim i tillë nuk mund të zbehë punën e mijëra mësuesve dhe mbi 2 mijë administratorëve që menaxhojnë procesin për 26,600 nxënësit që i nënshtrohen testimit.

Pavarësisht këtyre argumenteve dhe thirrjeve për një proces meritokratik e me standarde të larta, përsëritja e të njëjtit skenar ka nxitur sërish pikëpyetje dhe kritika të forta publike mbi efikasitetin e kontrolleve dhe sigurinë e sekretit shtetëror në provimet e Maturës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit