

Janë zbuluar emrat e 6 personave të arrestuar gjatë operacionit policor të koduar “Grupi”, i finalizuar në Vlorë dhe që çoi në goditjen e një grupi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe të narkotikëve.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga ranë:
Florian Shala alias Florian Alliaj;
Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj;
Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula;
Miço Beqaraj;
Turi Aligjoni;
Dritan Çelaj.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe Aleksandër Dula, i njohur edhe me emrat Aleksandër Thomai dhe Ilir Dula, i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Leçes me 6 vjet e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Gjatë operacionit u kap edhe Turi Aligjoni, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, ku mbeti i plagosur shtetasi F. L., 26 vjeç.
Operacioni u zhvillua në një lokal në fshatin Vranisht, ku efektivët e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, arrestuan anëtarët e grupit dhe sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 telefona celularë, 1850 euro dhe 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe për dokumentimin e episodeve të tjera ku mund të jenë përfshirë të arrestuarit.
Çfarë tha policia e Vlorës:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”.
Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore (drejtuesi dhe anëtarët e grupit).
Grupi, me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Kapet dhe autori i plagosjes me armë zjarri, të ndodhur 2 ditë më parë, në Vlorë.
Vihen në pranga 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.
Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”.
Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).
Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






