Transmetuar më 09-06-2026, 09:25

Vlorë, finalizohet operacioni “Grupi”, kapen 6 persona dhe sekuestrohen armë, automjete e para

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Grupi”, duke goditur një grup me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i përfshirë në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit u arrestuan 6 shtetas, mes tyre 2 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Në pranga ra edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor 2026 në qytetin e Vlorës.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Sipas Policisë, veprimet u ndërmorën pas informacioneve operative se disa persona lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara, ndërsa mes tyre ndodhej edhe autori i plagosjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë.

Si rezultat i ndërhyrjes, në një lokal në fshatin Vranisht u godit grupi kriminal që vepronte kryesisht në qytetet e Vlorës dhe Fierit.

Në flagrancë u arrestuan shtetasit F. Sh. (A.), 52 vjeç, N. D. (Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç. Ky i fundit rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi Gjykata e Apelit e Leçes e ka dënuar në vitin 2024 me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” me qëllim trafikimin e narkotikëve.

Po në të njëjtin lokal dhe në të njëjtën tavolinë u kapën edhe shtetasit T. A., 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së ndodhur më 7 qershor 2026, si dhe D. Ç., 48 vjeç. Të dy ishin shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 telefona celularë, 1850 euro dhe 3 automjete, dy prej tyre me targa të huaja, ndërsa njëri i blinduar.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se një prej automjeteve të sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A. për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më 7 qershor 2026 në Vlorë.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

Deklarata e plotë

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”. Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore (drejtuesi dhe anëtarët e grupit).

Grupi, me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.

Kapet dhe autori i plagosjes me armë zjarri, të ndodhur 2 ditë më parë, në Vlorë.

Vihen në pranga 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”.

Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).

Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit