Transmetuar më 09-06-2026, 08:29

Shqipëria ka hyrë në një spirale të rrezikshme të tkurrjes dhe plakjes së shpejtë të popullsisë, duke pësuar ndryshime të forta strukturore vetëm gjatë vitit të kaluar. Sipas shifrave zyrtare të përpunuara më 1 janar 2026, numri total i banorëve në vend ka rënë me mbi 27 mijë persona brenda një viti (një tkurrje prej 1.2%). Mirëpo, ajo që mbetet më shqetësuese për ekspertët është zbehet e shpejtë e peshës së moshave të reja përkundrejt një rritjeje të ndjeshme të grup-moshave të thyera, çka po zhvendos me shpejtësi balancën demografike të vendit.

Të dhënat tregojnë se baza e shoqërisë po zbrazet; grup-mosha nga 0 deri në 4 vjeç ka pësuar një rënie prej 2.3% (rreth 2,477 fëmijë më pak), por goditjen më të rëndë e mban mosha aktive për punë dhe çiftet e reja. Tkurrja më e fortë vjetore është regjistruar te grup-mosha 30-34 vjeç me 4.7% (6,853 individë më pak) dhe tek ajo 25-29 vjeç me 4.4% (5,955 persona më pak). Në total, popullsia e re nga 0 deri në 34 vjeç është pakësuar me 33 mijë persona brenda një viti—një shifër që barazohet me shkrirjen e plotë të popullsisë së një bashkie si Kurbini—si pasojë e gërshetimit të rënies së lindshmërisë me emigracionin e pandalur të moshave produktive.

Në krahun tjetër, procesi i plakjes po ecën me hapa të shpejtë. Ndërsa pothuajse të gjitha grup-moshat nën 65 vjeç po pësojnë rënie, numri i personave në moshat e thyera po shtohet me ritme të larta: kategoria 70-74 vjeç u rrit me 6%, ajo 75-79 vjeç me 8.3%, ndërsa të moshuarit mbi 85 vjeç shënuan gjithashtu një rritje prej 8.3%, duke arritur në 43,323 individë. Ky ndryshim drastik, i ndikuar edhe nga rritja e jetëgjatësisë, paralajmëron sfida kritike për skemën e pensioneve, kostot e kujdesit shëndetësor dhe mbi të gjitha për tregun e punës, ku sipërmarrjet po përballen me një mungesë akute të krahut të punës dhe profesionistëve të rinj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit