Transmetuar më 08-06-2026, 17:44

Dalin detajet, një çoban i marrë në punë nga i kërkuari që fshihej në stan, çoi në zbulimin e Violandit

Vrasja e punonjësit të policisë dhe plagosja e një tjetri në krye të detyrës, Prokuroria Korçë ngre katër akuza për autorin e dyshuar Violand Braçellari.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshm, Korçë, u la në fuqi masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasin Violand Braçellari, i arrestuar në flagrancë si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në mjedise publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar nga nenet 79/b, 79/b e 22, 278/1 dhe 280 i Kodit Penal.

Hetimet nisën pas ngjarjes së ndodhur më 3 qershor 2026 në Malin e Bodesë gjatë operacionit për kapjen e personit në kërkim Violand Braçellari i dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Plani operacional bazohej edhe në bazë të kallëzimit të bërë nga ana e shtetasit A. K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e Violand Braçellarit në malin e Bodesë dhe që sipas kallëzimit të bërë prej tij, ai ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e Violand Braçellarit.

Për këtë arsye në datën 4 qershor 2026, në mëngjes reth orës 07.00 forcat e policisë Korçë të organizuara sipas planit të operacionit të hartuar janë afruar në Malin e Bodesë afër vendit ku ka stallat ky shtetas.

Gjatë rrethimit të ndërtesave që ishin në zonë, forcat e policisë u përballën me të shtënat me armë nga shtetasi Violand Braçellari nga të cilat humbi jetën punonjësi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos një tjetër punonjës i policisë, shtetasi Edison Adri.

Violand Braçellari tentoi të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ishte plagosur dhe u kap disa metra poshtë stallave.

Violand Braçellari qëlloi në drejtim të policisë, edhe pse punonjësit ishin të me uniformë policie dhe jelek antiplumb. Nga hetimet u konstatua se punonjësi i policisë i cili humbi jetën paraqiste një dëmtim në pjesën e gjoksit, si dhe në pjesën e shiritit varës tek supet.

Ndërsa po i jepnin ndihmën e parë, breshëria e armës vazhdonte edhe pse Violand Braçellari dëgjonte që punonjësit e policisë bënin thirrje për dorëzim dhe se ishin forcat e policisë.

Por ai vazhdonte të qëllonte me armë në drejtim të policisë dhe për pasojë gjatë shkëmbimit të zjarrit, u konstatua edhe punonjësi i policisë Edison Adri i cili u plagos në kokë.

Në lidhje me personin nën hetim Violand Braçellari Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, vlerëson se nisur nga rrethanat e faktit, të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të veprave penale, për të cilat ka dyshime të bazuara në prova se janë kryer nga personi nën hetim, si dhe për shkak të rrezikshmërisë maksimalisht të lartë shoqërore të këtij shtetasi, i cili rezulton të jetë i dënuar më parë për disa vepra të tjera me rrezikshmëri shoqërore, si dhe bazuar në faktin se ky shtetas prej afro 10 vitesh i shmangej drejtësisë, duke i’u fshehur zbatimit të masave të sigurimit të dhënë më parë ndaj tij, si dhe vuajtjes së dënimeve penale, shtetasi Violand Braçellari duhet të qëndrojë në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.

Gjithashtu, ka dyshime të bazuara se në rastin konkret mund të jenë konsumuar edhe elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit dhe masat e marra paraprakisht për zinxhirin drejtues.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit