

Ka vijuar këtë të hënë seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha. Para trupit gjykues dëshmoi ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili dha sqarime mbi procedurat e privatizimit dhe trajtimin e pronave shtetërore.
Ruli deklaroi se Ministria e Ekonomisë kishte rolin e përfaqësuesit të shtetit si pronar civil dhe ishte institucioni përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit të privatizimit. Sipas tij, qeveria e kohës kishte si prioritet mbrojtjen e interesave të ish-pronarëve, duke u njohur atyre të drejtën e parablerjes.
Duke iu referuar rastit të kompleksit “Partizani”, Ruli tha se bëhej fjalë për një pronë të njohur nga ish-pronarët, të cilët kishin shprehur shqetësimin se procesi i privatizimit po zhvillohej pa marrë në konsideratë interesat e tyre.
Ish-ministri tregoi se kishte zhvilluar takime si me përfaqësues të ish-pronarëve, ashtu edhe me pronarin e klubit në atë kohë, Albert Xhani. Ai shtoi se gjatë mandatit të tij kishte kërkuar nga institucionet shtetërore inventarizimin e pronave dhe informacion mbi kërkesat e mundshme të ish-pronarëve.
Gjatë dëshmisë, Ruli theksoi se Ministria e Ekonomisë nuk kryente verifikime të pavarura mbi statusin e pronave, por mbështetej te dokumentacioni i përcjellë nga ministritë përkatëse. Ai pranoi gjithashtu problematikat që kanë shoqëruar ndër vite regjistrimin dhe administrimin e pronave shtetërore.
Në pyetjet e përfaqësuesve të SPAK-ut lidhur me privatizimin e objekteve sportive, Ruli u shpreh se ndryshimet ligjore që kufizonin privatizimin e tyre erdhën më vonë dhe se, nëse do të kishte pengesa ligjore, prona mund t’u jepej ish-pronarëve me koncesion.
Në fund të dëshmisë së tij, ish-ministri mohoi çdo ndërhyrje apo favorizim politik në këtë proces.
“Zoti Malltezi nuk ka ardhur të më takojë dhe të më kërkojë favore në lidhje me privatizimin. Gjithashtu, nuk kam marrë asnjë direktivë nga zoti Berisha për këtë çështje”, deklaroi Ruli para gjykatës.
Seanca për dosjen “Partizani” pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave të tjera të paraqitura nga palët.
DËSHMIA
Ruli: Kam qenë ministër i ekonomisë në vitin 2005. Ka rol në supervizionimin e proceseve të privatizimit. ME është përgatitësja e dokumentacionit. Ne si politikanë o bindemi edhe një programi qeveritar. PD kishte marrë detyrimin se gjatë proceseve të privatizimit do të shiheshin ngushtësisht interesat e ish-pronarëve. Patëm synimin t’i japim një prevalencë parablerjeje ish-pronarëve. Për rastin "Partizani" bëhej fjalë për një pronë të madhe, e njohur pronarëve. Ju ishte njohur e drejta e parablerjes. Ata po shihnin ishte se privatizimi po bëhej, por pa marrë parasysh interesa të ish-pronarëve. Ka ardhur një përfaqësuese e tyre e më ka takuar në 2006-2008 bëmë një sërë ndryshimesh aktesh ligjore e nënligjore. Jam takuar me ish- pronarët, por edhe me pronarët e subjekteve private.
Pronari i klubit në atë kohë, Albert Xhani, 2 herë i kam thënë, e di që e ke nisur procedurën me qeverinë e mëparshme, por kjo do shkojë në favor të ish-pronarëve. Madje i kam thënë, që edhe po t’i merrni ju, parcela ndërtimesh do përfundojnë, ashtu si kanë përfunduar shumë terrene të tjera sportive. Uria urbane ishte e madhe nga institucionet e pushtetit vendor. Në shkresat e kohës përmendej vetëm "Klubi sportiv partizani", veç në emër.
Ruli: Se çfarë ishte e kam marrë vesh më vonë, pasi jam interesuar pas takimeve me ish-pronarët, apo dhe nga pronari privat. Në tetor të 2005 unë u kam bërë një letër ministrive që të na sjellin një inventarë të pronave që kemi si shtet dhe po ashtu edhe letra nëse kanë pasur interes nga pronarët për t’i marrë ato prona. Mediu ka qenë ndër të parët që është përgjigjur, për sa i përket pronave që ishin jashtë planit të përhapjes.
Ruli: Një nga gjërat që e pengonte privatizimin ishte moria e udhëzimeve. Një përgjigje Mediut ja kam kthyer pas 7 muajve. Nga media sot kam mësuar se bashkia kishte përparuar ndërkohë, kishte ndryshuar destinacionin.
Ruli: Duke parë problemet e privatizimit, bashkëpunimi mes agjencive, aktorëve të ndryshëm, i kam kërkuar qeverisë, që në çdo ministri që kishte prona për privatizim, të emërohej nga një person përgjegjës.
Spak: Logjika e privatizimit ka qenë për struktura që e kishin ndërprerë akrivitetin. Po në rastin e klubeve Partizani?
Ruli: Nuk me kujtohet. Ne nuk ishim kreu i kishës në procesin e privatizimit. Verifikimet i bënin ministritë përkatëse. Ne i besonim dosjes së përcjellë. Shteti shqiptar nuk i ka të regjistruara as sot pronat e veta. Në ujërat historike që jetuam ATP 20 vjet, kishim kohë të merreshim me këtë histori!
Ruli: Ministria e dha edhe si sinjal politik nxitjen e procesit të privatizimit. Më pas duhet të vinte propozimi nga ministritë përkatëse që zotëronin pasuri. Pas saj Ministria e Ekonomisë shqyrtonte dokumentacionin e sjellë nga ministritë. Më pas bënim verifikim tek AMTP. Më pas kishim një komision vlerësimi, që bënte vlerësimin e çmimit.
Ekspertët kontabël, të licensuar, një përfaqësia nga Ministria Ekonomisë dhe një nga ministria e linjës që kishte propozuar privatizim.
Spak: Ka ndodhur një ndryshim i ligjit për sportin, ku thuhej se objektet sportive nuk mund të privatizoheshin, por mund të jepeshin me koncension, me kusht që të mos ndryshojë desrinacioni.
Ruli: Ajo është bërë vonë. Duhet të bëhej që në 1995.
SPAK: Meqënëse miratimi i privatizimit është bërë në 2008, ndërkohë që ligji e kishte të ndaluar privatizimin e terreneve sportive, referuar ligjit, a mund ta bënit?
Ruli: Hallkë penguese nuk bënë. Është veç hallkë komplikuese. Në atë rast do ja jepnim me koncesion ish-pronarëve
Ruli: Nuk ka ardhur zoti Malltëzi të më takoj dhe të më kërkoj favore në lidhje me privatizimin.
Avokatja Gjyzari: Po nga zoti Berisha keni marrë ndonjë direktive, për këtë çështje?
Ruli: jo as nga Berisha nuk kam marrë asnjë direktive në lidhje me këtë çështje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






