

Identifikohet autori i plagosjes te Delijorgji, zbardhen arsyet e konfliktit në restorant
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur pasditen e sotme në zonën rezidenciale të Delijorgjit, në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 34-vjeçar.
I dëmtuari është Akil Koxhaxhiku, 34 vjeç, banues në Tiranë. Sipas informacioneve zyrtare, ai është qëlluar në bark rreth orës 15:50, jashtë një lokali në zonën e pallateve Delijorgji. Koxhaxhiku është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet kanë identifikuar si autor të dyshuar shtetasin Besjan Ferazini, i cili është shpallur në kërkim. Policia ka nisur operacionet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Sipas burimeve nga policia, konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Paraprakisht, mësohet se 34-vjeçari ishte duke drekuar në një bar-restorant së bashku me partneren e tij, kur ka pasur një debat me të dyshuarin, i cili dyshohet se lidhej me hedhje fjalësh apo ngacmime ndaj të fejuarës.
Situata ka precipituar në tension, dhe në një moment autori i dyshuar ka nxjerrë armën e zjarrit që dyshohet se e mbante me vete, duke qëlluar një herë në drejtim të Koxhaxhikut dhe duke e plagosur në bark.
Pas ngjarjes, partnerja e të plagosurit ka arritur ta ndihmojë atë dhe ta transportojë me automjet drejt një spitali privat për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht motivet e konfliktit dhe për të siguruar të gjitha provat që do të çojnë në dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






