

Rey Manaj përfshihet në aksident rrugor në Turqi, ja gjendja e sulmuesit të Kombëtares
Sulmuesi i Sivassporit dhe i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, është përfshirë mbrëmjen e djeshme në një aksident rrugor në Turqi.
Rey Manaj, u përfshi në një aksident trafiku në Sivas, teksa kthehej në shtëpi nga ndeshja jashtë fushe kundër Adana Demirspor, raporton noa.al duke cituar gazetën turke Vatan.
Sipas raportimeve të mediave turke, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bagdat”, në periferi të qytetit të Sivasit, teksa futbollisti 28-vjeçar ishte duke u kthyer në shtëpi.
Fatmirësisht, Manaj nuk ka pësuar lëndime serioze dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Burimet bëjnë me dije se aksidenti ka shkaktuar vetëm dëme materiale në automjetin e tij privat.
Megjithatë, si masë paraprake, sulmuesi shqiptar po mbahet nën vëzhgim në spital, ndërsa pritet një deklaratë zyrtare për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Pas lajmit, tifozët e Sivassporit kanë reaguar në rrjetet sociale, duke i dërguar mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim të shpejtë lojtarit.
Imazhet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se Rey Manaj i shpëtoi aksidentit me lëndime të lehta dhe nuk është në gjendje të rëndë
Deri në këto momente, klubi i Sivassporit nuk ka dalë me një njoftim zyrtar, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion mbi incidentin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






