

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak minuta më parë në Tiranë, ku një 32-vjeçar humbi jetën pas një konflikti të ndodhur brenda një lokali. Ngjarja ndodhi në një bar-kafe në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë zonës së ish-Parkut në “21 Dhjetori”, raporton noa.al.
Viktima është identifikuar si Egli Pashollari, 32 vjeç, banues në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, ai u qëllua me mjet prerës gjatë një përplasjeje me disa persona brenda lokalit. Pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Policia tha zyrtarisht se rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
"Autori i dyshuar i ngjarjes te rruga Kongresi i Lushnjës është Gazment Buçpepaj. Ngjarja po hetohet si një konflikt çasti mes autorit të dyshuar dhe viktimës", thanë për noa.al burime nga policia.
Ndërkaq, grupi hetimor po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të vrasjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
Më herët, në vitin 2017, në moshën 23-vjeçare, Egli Pashollari ishte arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap me lëndë narkotike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






